Rama nderon ambasadoren e Izraelit me “Medaljen e Mirënjohjes Publike”

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, është nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes Publike” nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në përfundim të misionit të saj diplomatik në vend.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Izraelit në Tiranë, e cila e cilësoi medaljen si një vlerësim për kontributin dhe përkushtimin e ambasadores Peleg në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Sipas ambasadës, vlerësimi vjen në përfundim të mandatit të saj dhe përbën një njohje për kontributin e saj në marrëdhëniet dypalëshe gjatë viteve të shërbimit diplomatik në Shqipëri.
“Ambasadorja Peleg largohet nga Shqipëria me mirënjohje dhe me kujtime të veçanta për ngrohtësinë, miqësinë dhe bashkëpunimin që ka përjetuar gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Në përfundim të mesazhit, Ambasada e Izraelit shprehu mirënjohjen ndaj Shqipërisë me fjalët: “Faleminderit, Shqipëri.”



