Mickoski zhvillon takime të nivelit të lartë në Nju Jork, në fokus integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe siguria

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, ka zhvilluar disa takime dypalëshe me përfaqësues të lartë, ku janë shkëmbyer mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski të mërkurën ka zhvilluar takim me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, me të cilin ka diskutuar rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Në takim është theksuar gjithashtu rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt.
Ndërkaq, në fokus të takimit dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka qenë avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.
Mickoski ka zhvilluar takim dypalësh edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ku janë shkëmbyer mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Mickoski është takuar edhe me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me të cilën kanë shqyrtuar sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt.
“Takimet në Nju Jork konfirmojnë përkushtimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë. Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe integrimit evropian”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Takimet janë zhvilluar në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Takimet e nivelit të lartë dhe debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nisën të martën dhe do të vazhdojnë deri më 28 shtator, sipas programit zyrtar të OKB-së.



