Ish-gjeneralët izraelitë: Ajo që po bën Netanyahu, Holokaust!

Një fitil që pret të shpërthejë. Kështu e përshkruajnë disa ish-gjeneralë, ish-zyrtarë të lartë dhe diplomatë izraelitë situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një analizë të publikuar nga New York Times, ata ngrenë alarmin për dhunën e kolonëve dhe për politikat e qeverisë së Benjamin Netanyahut, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet në mënyrë të pakontrollueshme.

Dhe kritika vjen nga njerëz që kanë shërbyer në nivelet më të larta të ushtrisë dhe shtetit izraelit. Për ta, kërcënimi nuk lidhet vetëm me Iranin, Gazën apo Libanin, por gjithnjë e më shumë me atë që po ndodh brenda vetë Bregut Perëndimor.

“Ajo që po bëjnë kolonët këtu është kërcënimi i vërtetë për Izraelin”, thotë gjeneralmajori Eyal Ben-Reuven. Ai shprehet se kjo situatë e shqetëson më shumë se kërcënimet e tjera rajonale.

Ben-Reuven mori pjesë në luftën arabo-izraelite të vitit 1973 dhe në vitin 2006 drejtoi forcat tokësore izraelite gjatë luftës kundër Hezbollahut.

Muajt e fundit është rikthyer në Bregun Perëndimor së bashku me gjeneralë në pension dhe ish-zyrtarë të tjerë, duke e përshkruar atë që ka parë si një “flluskë dhune” që rrezikon të shpërthejë.

Për disa prej tyre, paralelizmi me Gjermaninë naziste është bërë i pashmangshëm. “Thënë fare thjesht: ky është spastrim etnik!”, deklaron Ephraim Sneh, gjeneral brigade në pension dhe ish-ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, gjenerali në pension i Forcave Ajrore, Asaf Agmon, e lidh situatën me përvojën e hebrenjve gjatë Holokaustit. Ai thekson se krahasimi nuk lidhet me përmasat e dhunës, por me atë që e konsideron si përpjekje për të zhdukur praninë palestineze nga pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor. “Kur një shoqëri sillet në këtë mënyrë, ajo është e dënuar të dështojë”, shprehet Agmon.

Edhe Nehemia Dagan, 86 vjeç, gjeneral i pensionuar i Forcave Ajrore dhe ish-drejtues i arsimit në ushtrinë izraelite, flet me tone të ashpra. Sipas tij, Izraeli ka humbur një pjesë të identitetit të vet dhe po humbet edhe këtë betejë morale.

“Kemi humbur veten dhe e kemi humbur këtë betejë!”, shprehet Dagan, duke mbështetur ndarjen përmes zgjidhjes me dy shtete. Në të njëjtën linjë është edhe Moshe Ya’alon, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë Netanyahu.

Ya’alon e ka krahasuar ideologjinë e kolonëve ekstremistë në Bregun Perëndimor me atë të Gjermanisë së Luftës së Dytë Botërore.

“Çfarë është supremacia hebraike?”, pyet ai, përpara se të japë një përgjigje tronditëse: “Tetëdhjetë vjet pas Holokaustit, një ‘Mein Kampf’ i përmbysur, ku pretendojmë që raca superiore jemi ne”.

Edhe ish-ambasadori izraelit Raphael Schutz sjell një dëshmi personale. Nëna e tij, e cila u arratis nga Gjermania naziste kur ishte vetëm nëntë vjeçe, ndien turp kur sheh pamjet e kolonëve që djegin makina dhe sulmojnë fermerë palestinezë.

“Për të është e paimagjinueshme që hebrenjtë të mund të sillen në këtë mënyrë”, tregon Schutz, duke shtuar se është i kënaqur që është larguar nga shërbimi diplomatik, pasi do ta kishte të pamundur të shpjegonte një realitet të tillë.

Këto deklarata janë veçanërisht të forta sepse vijnë nga brenda establishmentit izraelit. Bëhet fjalë për njerëz që kanë komanduar trupa, kanë drejtuar institucione dhe kanë përfaqësuar Izraelin jashtë vendit, por që tani paralajmërojnë se politika ndaj palestinezëve po e çon vendin në një pikë ku rreziku nuk është vetëm konflikti me kundërshtarët e tij, por edhe humbja e vetvetes. \tesheshi.com\

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button