21 institucione financiare globale bashkojnë forcat për të lançuar stablecoin-ët

Një grup prej 21 institucionesh të mëdha financiare globale, përfshirë Bank of America, Wells Fargo, Deutsche Bank dhe UBS, kanë njoftuar planet për krijimin e një kompanie të përbashkët për të mbështetur emetimin e stablecoin-ëve, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të përbashkët, kompania, emri i së cilës ende nuk është përcaktuar, pritet të themelohet në gjysmën e dytë të vitit 2026, në varësi të përfundimit të procedurave të nevojshme.
Ajo planifikon të operojë në nivel global dhe fillimisht të përqendrohet në emetimin e një stablecoin-i të denominuar në dollarë amerikanë, i cili është planifikuar të dalë në treg në gjysmën e parë të vitit 2027.
Më pas, grupi synon ta zgjerojë aktivitetin me stablecoin të denominuar në valuta të tjera të Grupit të Shtatë (G7), duke përcaktuar si prioritet një stablecoin të denominuar në euro.
Stablecoin-i i propozuar mund të përdoret në tregjet me shumicë, institucionale dhe me pakicë, përfshirë pagesat ndërkufitare dhe shlyerjen e transaksioneve me asete digjitale.
Grupi tha se projekti do të mbështetet në ekspertizën e institucioneve pjesëmarrëse në fushat e pajtueshmërisë rregullatore, qeverisjes dhe menaxhimit të rrezikut dhe se, aty ku është e zbatueshme, do të jetë në përputhje me Aktin GENIUS të SHBA-së dhe kornizën rregullatore të BE-së për Tregjet e Kripto-Aseteve.
Projekti pason një njoftim të bërë në tetor të vitit 2025, kur 10 banka thanë se po shqyrtonin emetimin e një forme të parasë digjitale të mbështetur nga rezerva dhe të disponueshme në blockchain-ët publike.
Grupi i zgjeruar përfshin Bank of America, Capital One, Citi, Fidelity Investments, Goldman Sachs, PNC Financial Services, Scotiabank, TD Bank Group, Wells Fargo dhe WisdomTree nga Amerika e Veriut.
Pjesëmarrësit evropianë përfshijnë Banco Santander, BBVA, Commerzbank, Credit Agricole, Deutsche Bank, Lloyds Banking Group, Rabobank dhe UBS.
Në projekt marrin pjesë gjithashtu MUFG Bank e Japonisë, Sirius International Holding me seli në Abu Dhabi dhe Standard Bank e Afrikës së Jugut.
Stablecoin-ët janë asete digjitale të krijuara për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme duke u lidhur me vlerën e aseteve tradicionale, më së shpeshti me valuta si dollari amerikan.
Përdorimi i tyre po shqyrtohet gjithnjë e më shumë për pagesa dhe shlyerje, pasi transaksionet e bazuara në blockchain mund të kryhen gjatë gjithë kohës dhe përtej kufijve.



