Vazhdon gjyqi për tragjedinë në “Pulse”, sot prezantohet ekspertiza ndërtimore

Në sallën e gjyqit në Idrizovë sot vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u plagosën. Me ekspertizën e ndërtimit pritet të përfundojë procedura e provave nga Prokuroria, pas së cilës provat do t’i paraqesë mbrojtja.
Në seancën e sotme pritet të prezantohet ekspertiza ndërtimore e përgatitur nga një ekip i Fakultetit të Ndërtimtarisë pranë UKIM-it, pas së cilës pritet të merren në pyetje edhe ekspertët që e kanë përgatitur atë.
Në seancën e kaluar, profesori dhe eksperti Goran Markovski theksoi se ndryshimi i destinimit dhe riorganizimi i hapësirës, ndryshimet në instalimet elektrike, të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe përdorimi i materialeve të papërshtatshme, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave themelore për sigurinë e objektit.
Sipas ekspertit, organet kompetente, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, është dashur të reagonin ndaj ndërhyrjeve të paligjshme, por reagimi ka munguar deri në mars të vitit 2025, kur, pas zjarrit, janë përgatitur procesverbalet e para nga mbikëqyrja inspektuese.



