Marta Kos paralajmëron Serbinë: Glorifikimi i Mlladiqit nuk ka vend në BE

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, mbajti një fjalim në Forumin Strategjik të Bledit, ku foli për vdekjen e Ratko Mlladiqit, glorifikimin e kriminelit të luftës dhe planet e Serbisë për varrosjen e tij me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.
Në fjalimin e saj, Kos theksoi se Ratko Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Srebrenicë.
“Glorifikimi i Ratko Mlladiqit si kriminel lufte është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian, e as në vendet që synojnë të bëhen pjesë e unionit. Shpresoj që qeveria në Beograd ta kuptojë se çfarë është në lojë”, tha komisionerja para gazetarëve në Forumin Strategjik të Bledit.
Ajo theksoi gjithashtu se do ta monitorojë situatën në Serbi, shkruan klix.ba.
“Edhe kjo do të jetë bazë për mënyrën se si do ta vlerësojmë zhvillimin e ngjarjeve”, tha Kos.
Ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, kishte deklaruar më herët se Ratko Mlladiqi ka të drejtë për të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore.
Ratko Mlladiqi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së serbëve të Bosnjës nga viti 1992 deri më 1995. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë e dënoi me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2017. Dënimi u konfirmua në vitin 2021.
Nën udhëheqjen e tij, ushtria e serbëve të Bosnjës vrau në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë rreth 8.700 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e ka cilësuar si gjenocid vrasjen e kryer nga forcat e serbëve të Bosnjës në disa vendime gjyqësore. Qëllimi ishte shfarosja e boshnjakëve.
Këto ngjarje konsiderohen ndër vrasjet masive më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.



