Kitanoviq fshin postimin për Mlladiqin dhe kërkon falje nga Mucunski dhe Qeveria

Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Dalibor Kitanoviq, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara nga një fotografi e publikuar prej tij në rrjetet sociale, ku Ratko Mlladiq paraqitej së bashku me figura nga historia serbe, përfshirë edhe Draža Mihajloviqin. Fotografia ishte shoqëruar me mbishkrimin “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.

Kitanoviq ka theksuar se postimin e ka fshirë pothuajse menjëherë, ndërsa në deklaratën e tij ka mohuar se ka pasur qëllim të ofendojë apo poshtërojë ndonjë popull, fe apo bashkësi etnike.

“Unë, Dalibor Kitanoviq, me asnjë veprim timin – as në jetën private, e aq më pak gjatë ushtrimit të funksionit publik – kurrë me vetëdije nuk kam ofenduar, poshtëruar apo lënduar pjesëtar të ndonjë populli, feje apo bashkësie etnike”, ka deklaruar ai.

Duke shpjeguar arsyet e veprimit të tij, Kitanoviq ka përmendur edhe përvojën e familjes së tij gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“Një pjesë e familjes sime më të afërt në Bosnje e Hercegovinë ka mbijetuar rrethana lufte falë njësive të rregullta ushtarake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq. Kjo është pjesë e përvojës sonë personale dhe familjare dhe askush nuk ka të drejtë të kërkojë nga unë ta fshij nga kujtesa ime”, ka shkruar Kitanoviq.

Megjithatë, ai ka theksuar se mirënjohja personale ndaj familjarëve të tij nuk nënkupton, sipas tij, mohimin apo nënvlerësimin e viktimave të luftës.

Kitanoviq ka akuzuar gjithashtu struktura politike dhe mediatike për, siç e quan ai, “përballje politike dhe mediatike të organizuar” dhe përpjekje për linçim politik.

“Unë jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për çdo fjalë timen. Por nuk do të marr përgjegjësinë për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia. Nuk do të pranoj që tërheqja ime e postimit të shndërrohet në pranim për diçka që nuk e kam bërë”, ka shtuar ai.

Në fund të deklaratës, Kitanoviq i ka kërkuar falje kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë, duke thënë se ata janë përfshirë në përplasjet politike për shkak të postimit të tij.

“Sinqerisht i kërkoj falje kryetarit të Qeverisë, zotit Hristijan Mucunski dhe anëtarëve të Qeverisë, të cilët për shkak të postimit tim u përfshinë pa nevojë në përballje politike”, ka deklaruar Kitanoviq.

Ai ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet përballë presioneve dhe kritikave të ardhura pas publikimit të fotografisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button