Presidenti Erdogan: Turqia do të qëndrojë në rrugën e zhvillimit pavarësisht konflikteve rajonale

Turqia do të vazhdojë të ndjekë zhvillimin dhe prosperitetin pavarësisht konflikteve në rajon, tha të martën presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, raporton Anadolu.

“Turqia është në rrugën e duhur, dashtë Zoti. Drejtimi i saj është i qartë dhe herët a vonë do të arrijë në destinacionin e saj”, tha Erdogan në një fjalim pas mbledhjes së Kabinetit në Ahlat të Bitlisit.

“Turqia është e sigurt. Besimi i ngarkuar në duar të sigurta, që përfaqëson 86 milionë njerëz, është i garantuar. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që ky besim i shenjtë të vihet në hije”, shtoi ai.

Kabineti u mblodh nën drejtimin e Erdoganit në Kompleksin Presidencial të Ahlatit.

Erdogan tha se në mbledhje u diskutuan çështje që përfshijnë politikën e jashtme, tregtinë, sigurinë dhe procesin e qeverisë për “Një Turqi pa terrorizëm”.

Ai tha se krizat ekonomike rajonale po ndikojnë në Turqi, por qeveria do të mbetet e përkushtuar ndaj objektivave të saj në punësim, eksporte, bujqësi dhe turizëm.

Duke folur për ndikimin ekonomik të tensioneve mes Iranit dhe SHBA-se, Erdogan tha: “Ndërsa vala goditëse e shkaktuar nga tensionet Iran-Amerikë në ekonominë globale gradualisht humbet ndikimin e saj me kalimin e kohës, do të kemi mundësinë t’i shohim qartë pasojat e saj në jetën e përditshme”.

– Procesi “Turqi pa terrorizëm”

Duke folur për procesin “Turqi pa terrorizëm”, Erdogan theksoi një ligj të miratuar së fundmi nga parlamenti me 467 vota, duke e cilësuar atë si një konsensus historik dhe duke thënë se ka forcuar procesin.

“Demokracia turke ka pjekurinë për të zgjidhur çdo problem kur vepron me një mirëkuptim që e vendos vendin dhe kombin në qendër, në vend të llogarive të përditshme politike”, tha ai.

Erdogan u bëri thirrje njerëzve nga të gjitha pikëpamjet politike të kontribuojnë në proces, duke e përshkruar atë si një çështje që ka të bëjë me të gjithë shtetin dhe 86 milionë qytetarët e tij, dhe jo vetëm me qeverinë dhe aleancën e saj.

“Ejani, ta përmbushim siç duhet detyrimin tonë të mirënjohjes ndaj dëshmorëve dhe veteranëve tanë duke e çliruar Turqine nga terrorizmi”, tha Erdogan.

Ai paralajmëroi se çdo nismë që e ndërlikon, saboton ose provokon procesin, apo që qëndron kundër tij, do të mbahet përgjegjëse para historisë.

Erdogan u bëri gjithashtu thirrje organizatave të shoqërisë civile dhe liderëve të opinionit në rajon që të kontribuojnë më shumë në proces.

– Konfliktet rajonale dhe paqja

Duke iu referuar konflikteve rajonale, Erdogan përsëriti përpjekjet e Turqise për promovimin e paqes.

“Ndërsa Turqia kërkon paqe për të gjithë në rajonin e saj, së bashku me qytetarët e saj, planet e rrjeteve kriminale të ndërtuara mbi gjak dhe konflikt po prishen”, tha ai.

“Ne shohim se çfarë skenarësh të përgjakshëm po hartohen për rajonin tonë. Dashtë Zoti, nuk do të lejojmë që ato të zbatohen”, theksoi ai.

“Ne nuk do të heqim dorë nga puna për vendosjen e paqes në rajonin tonë vetëm sepse disa nuk e duan atë, janë të shqetësuar për të ose i shohin planet e tyre të prishura”, shtoi Erdogan.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen e fqinjëve të saj, pavarësisht kundërshtimit nga ato që ai i përshkroi si “rrjete kriminale me gjakun e njerëzve të pafajshëm në duart e tyre”.

“Ne nuk kemi asnjë agjendë apo qëllim të fshehtë, ndryshe nga sa pretendojnë disa. Synimi ynë është që një atmosferë paqeje të mbizotërojë rreth nesh”, tha Erdogan.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button