Kremlini: Putin dhe Trump mund të takohen në samitin e APEC-ut në Kinë

Ndihmësi i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka të ngjarë të takohen në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Kinë në muajin nëntor, nëse të dy marrin pjesë, transmeton Anadolu.
“Nëse liderët ndodhen në të njëjtin aktivitet, atëherë më duket se ata në mënyrë të pashmangshme do të takohen dhe do të bisedojnë”, tha Ushakov në një intervistë për transmetuesin rus VGTRK.
Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur sinjale apo indikacione për plane për një takim të tillë, por samiti i APEC-ut është ende rreth tre muaj larg.
“Duhet të arrijmë deri atëherë. Para kësaj, kemi ende shumë ngjarje të mëdha ndërkombëtare”, tha ai.
Ndërkohë, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, në një intervistë tjetër për VGTRK tha se vendet e NATO-s dhe BE-së nuk do të mund të distancohen publikisht nga ofrimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe nga ndjekja e asaj që ai e përshkroi si një politikë anti-ruse.
Lavrov tha se Rusia do të marrë parasysh veprimet e atyre që ai i quajti “elita haptazi rusofobe” në Britani, Bruksel, Paris, Berlin dhe vende të tjera të NATO-s dhe BE-së.
“Ata e dinë se çfarë po bëjnë dhe po përpiqen që paraprakisht të distancohen publikisht nga kjo. Nuk do të funksionojë”, tha ai.

