Tetovë, emërtimi i rrugëve drejt fundit

Pas vitesh zvarritje, procesi për emërtimin e rrugëve në Tetovë po hyn në fazën përfundimtare. Janë miratuar edhe 145 emra të rinj, duke e çuar në 222 numrin e emrave të miratuar deri tani, por lista ende nuk është e plotë. Mbi 100 emra të tjerë duhet të miratohen përpara se lista finale të kalojë në Këshillin Komunal dhe më pas të dërgohet për pëlqim në Qeveri.

“Në fazën e parë miratuam diku 77 emra, ndërsa në mbledhjen e sotme miratuam edhe 145 emra të tjerë, duke arritur në gjithsej 222, ndërsa na duhen diku edhe mbi 100 emra që të kompletohet e tërë lista që do t’i dërgohet Qeverisë. Nga 20 shtatori duhet ta kemi listën finale që Këshilli duhet ta miratojë dhe Qeveria të japë pëlqimin e duhur”, deklaroi kryetari i Komisionit për emërtimin e rrugëve Albi Qamili.

Nga komisioni thonë se procesi po zhvillohet në koordinim me partnerët e koalicionit edhe në nivel qendror. Qëllimi, sipas tyre, është që çështja e emërtimit të rrugëve, e cila prej vitesh mbetet e pazgjidhur, të marrë një epilog ligjor, pa cenuar përfaqësimin e asnjë komuniteti.

“Ky proces duhet të ecë me kujdes të veçantë dhe do ta marrë pëlqimin në Qeveri që ky problem shumëvjeçar të marrë fund. Deri në fund të vitit disa rrugë në Tetovë do të kenë emra të rinj”, u shpreh Qamili.

Por, procesi nuk ka kaluar pa kundërshtime. Këshilltari i Lidhjes Shqiptare, Arlind Murtezani, ka kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së emrave dhe ka paralajmëruar se partia e tij do të insistojë që në listën e ardhshme të përfshihet emri i ish-të burgosurit politik, Mehmet Gega.

“Kjo ishte arsyeja edhe pse votova kundër propozimeve tjera që vinin nga pala maqedonase. Ne si LSH ua bëmë me dije se në mbledhjen e ardhshme, propozimi ynë do të jetë një dhe i vetëm, Mehmet Gega, që t’ua heqim atë komoditet shumicës që të përzgjedhin nga lista jonë se cilët emra lëndojnë më pak apo më shumë partnerët e tyre të koalicionit”, theksoi Arlind Murtezani nga Lidhja Shqiptare.

Edhe nga BDI-ja kanë kritikuar duke theksuar se procesi po ece sipas dëshirës së koalicionit e jo sipas kërkesës së qyterarve dhe këshilltarve opozitar.Në Tetovë ka mbi 297 rrugë dërsa 216 identifikohen vetëm me numra ose nuk janë fare të evidentuara.

Kjo krijon probleme të përditshme me dërgesat postare, adresat dhe shërbimet institucionale.Me mbi 100 emra ende për t’u miratuar, beteja tani zhvendoset te lista finale dhe te emrat që do të marrin dritën jeshile të Këshillit Komunal dhe Qeverisë. /TVM-2

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button