Shqetësuese, 25% e nxënësve të moshës 15 dhe 16 vjeçe në Maqedoni e kanë provuar bixhozin

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, “HERA të Rinjtë” dhe iniciativa “Gjuaje zarin!” zhvilluan një aksion gueril në Shkup, duke alarmuar për praninë dhe normalizimin gjithnjë e më të madh të bixhozit dhe basteve te të rinjtë.
Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat për moshat më të reja.
Sipas hulumtimit kombëtar ESPAD 2024, 25 për qind e nxënësve të moshës 15–16 vjeç në Maqedoninë e Veriut janë marrë me bixhoz për para gjatë 12 muajve të fundit. Te djemtë kjo përqindje është 34 për qind, ndërsa te vajzat 16 për qind.
Për më tepër, te nxënësit që merren me bixhoz, përqindja e bixhozit problematik është rritur nga 4,5 për qind në vitin 2019 në 7,6 për qind në vitin 2024, gjë që, sipas iniciativave, përbën një alarm serioz për institucionet.
Nga “HERA të Rinjtë” thonë se kazinotë, bastoret, platformat online dhe reklamat për “fitim të shpejtë” janë lehtësisht të qasshme në një kohë kur të rinjtë përballen me pasiguri financiare, papunësi, probleme të shëndetit mendor dhe dëshirë për emigrim.
Ata paralajmërojnë se bixhozi nuk duhet të shihet vetëm si problem financiar, por edhe si çështje e shëndetit publik dhe atij mendor. Organizata Botërore e Shëndetësisë i lidh dëmet nga bixhozi me borxhet, marrëdhëniet e dëmtuara familjare dhe shoqërore, depresionin, ankthin dhe rritjen e rrezikut për vetëvrasje.
Të rinjtë kërkojnë kontroll më të rreptë të bastoreve pranë shkollave, kufizimin e reklamave për lojërat e fatit, veçanërisht online, verifikim efektiv të moshës dhe mbrojtje më të mirë të të miturve. Ata kërkojnë gjithashtu që edukimi financiar, parandalimi i varësive dhe shëndeti mendor të bëhen pjesë e arsimit.
“Nuk duam që të rinjtë tanë ta quajnë shtetin me hidhërim ‘Republika e Maqedonisë së Bixhozit’”, thanë nga “HERA të Rinjtë” dhe iniciativa “Gjuaje zarin!”, duke shtuar se në shoqëri ndonjëherë është më e lehtë të gjesh një bastore sesa një qendër kulturore.
ESPAD është një hulumtim ndërkombëtar që monitoron sjelljet e rrezikshme te nxënësit e moshës 15–16 vjeç. Në vitin 2024, hulumtimi përfshiu më shumë se 113 mijë nxënës në 37 vende evropiane.



