Rreth 700 fluturime të anuluara në aeroportin e Katanias në Itali për shkak të shpërthimit të malit Etna

Rreth 700 fluturime janë anuluar në aeroportin e Katanias në ishullin italian të Sicilisë për shkak të shpërthimit të vazhdueshëm të malit Etna dhe përhapjes së hirit vullkanik, raportuan mediat lokale të mërkurën, transmeton Anadolu.

Nga 8 deri më 11 gusht, rreth 400 fluturime nisëse u anuluan, ndërsa 52 anulime të tjera ishin planifikuar për të mërkurën, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Më shumë se 250 fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera, përfshirë mbi 100 drejt Komisos, rreth 50 drejt Palermos vetëm të martën dhe 22 të tjera drejt Trapanit.

SAC, kompania që menaxhon aeroportin e Katanias, tha se të gjitha fluturimet në mbërritje dhe nisje janë pezulluar deri të enjten në orën 16:00 sipas kohës lokale, për shkak të pranisë së hirit vullkanik në atmosferë.

Ajo shtoi se është zgjatur edhe mbyllja e sektorëve të hapësirës ajrore të prekur nga reja e hirit.

Pasagjerëve iu bë thirrje të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me kompanitë ajrore përpara se të udhëtojnë drejt aeroportit.

Ndërkohë, aeroporti i Komisos, në provincën e Raguzës, ka rifilluar funksionimin e plotë pasi pezulloi përkohësisht fluturimet për shkak të ndotjes nga hiri.

Ndërprerja e fluturimeve vjen në kulmin e sezonit turistik veror në Sicili, duke prekur mijëra banorë dhe vizitorë.

Ministri italian i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, tha se ndërprerja e fundit ka rikthyer shqetësimet e kahershme lidhur me cenueshmërinë e aeroportit të Katanias për shkak të afërsisë së tij me malin Etna.

Mali Etna, i vendosur në bregdetin lindor të Sicilisë, është ndër vullkanet më aktive në botë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button