QMK: Nëntë zjarre në ambiente të hapura, pesë janë aktive

Gjithsej nëntë zjarre në hapësirë të hapur janë regjistruar deri në orën 13:00 sot, prej të cilave pesë janë aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa një është shuar, informon Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Aktive janë zjarret në Makedonski Brod, në vendin Vidush, pranë fshatit Dragov Dol, ku digjet vegjetacion i ulët, pyll me trungje të ulëta dhe shkurre; në Studeniçan, mbi fshatrat Moranë, Vërtekicë dhe Ramni Gaber, ku është përfshirë pyll i përzier; në komunën e Ilindenit, në vendbanimin Ilinden, ku digjet vegjetacion i ulët; në Zhelinë, pranë fshatit Çiflik, ku është përfshirë vegjetacion i ulët dhe pyll i përzier, si dhe në Manastir, pranë fshatit Bukri, ku digjet vegjetacion i ulët”.
“Nën kontroll janë zjarret pranë deponisë së qytetit në Dellçevë, pranë Novo Sellos në malin Ograzhden dhe pranë fshatit Zajaz në Kërçovë, ku janë përfshirë kashtë e korrur, pyll me pisha dhe goma. Është shuar zjarri në fshatin Vranjovcë, Komuna e Vrapçishtit, ku kishte marrë flakë vegjetacion i ulët”, thonë nga QMK.



