Irani publikon video të rrallë të Mojtaba Khameneit pas raportimeve për përkeqësim të shëndetit

Irani publikoi një video të rrallë të Udhëheqësit Suprem Mojtaba Khamenei, pas raportimeve se ai ndodhej në gjendje kritike shëndetësore, transmeton Anadolu.
Videoja, e transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, e shfaq Mojtaba Khamenein të rrethuar nga disa persona dhe dukej se po u drejtohej atyre.
Mehr nuk bëri të ditur se kur dhe ku ishte regjistruar videoja dhe as nuk identifikoi personat që e shoqëronin.
Agjencia raportoi të dielën se Mojtaba u takua me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, i cili po fillon vitin e tretë në detyrë.
Në takim u diskutuan sfidat aktuale me të cilat përballet Irani, përfshirë nevojat e popullsisë për mirëqenie dhe konfliktin ushtarak me SHBA-në, “si dhe ndërveprimin ekonomik me partnerët e huaj”, shtoi agjencia.
Mojtaba u zgjodh Udhëheqës Suprem i Iranit në fillim të marsit, pasi babai i tij, Ali Khamenei, u vra në një sulm ajror amerikano-izraelit më 28 shkurt. Që nga zgjedhja e tij, ai nuk është shfaqur asnjëherë në publik.
Irani dhe SHBA-ja ranë dakord për një armëpushim në prill dhe më pas nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, që synonte t’i jepte fund konfliktit ushtarak dhe të arrihej një marrëveshje e qëndrueshme paqeje.
Megjithatë, marrëveshja u rrëzua muajin e kaluar, ndërsa Teherani dhe Washingtoni shkëmbyen sulme për gati dy javë, para se presidenti amerikan Donald Trump të ndalte papritur bombardimet mes raportimeve për bisedime për zgjidhjen e konfliktit.



