Dy të vrarë dhe 42 të plagosur në sulmet ajrore gjatë natës në Rusi dhe Ukrainë

Moska dhe Kievi akuzuan të dielën njëri-tjetrin për kryerjen e sulmeve gjatë natës, ku janë vrarë dy persona në verilindje të Ukrainës dhe janë plagosur gjithsej 42 persona në të dyja palët, transmeton Anadolu.

Në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, dy persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën nga një sulm rus ndaj një ndërtese banimi, tha guvernatori Oleh Syniehubov në Telegram.

Një sulm rus në qytetin bregdetar të Odesës plagosi tetë persona dhe dëmtoi automjete dhe ndërtesa banimi në disa zona, tha Serhii Lysak, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Odesës, në Telegram.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan në Telegram se Rusia ka shënjestruar rajonin e Odesës me raketa dhe ka lëshuar 202 dronë gjatë natës, nga të cilët 174 janë interceptuar ose janë neutralizuar mbi pjesët veriore, jugore dhe lindore të Ukrainës.

Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi në Telegram se forcat e saj kanë interceptuar dhe shkatërruar 153 dronë ukrainas me krahë fiks mbi territorin e Rusisë, Krimenë e pushtuar dhe ujërat e Detit Azov dhe Detit të Zi.

Në rajonin rus të Belgorodit, guvernatori në detyrë Alexander Shuvayev tha se 13 persona, përfshirë dy fëmijë, u plagosën gjatë sulmeve të natës.

Shpërthimet e dronëve dëmtuan të paktën katër ndërtesa banimi dhe shkaktuan zjarre, përfshirë në dy automjete të parkuara pranë një ndërtese banimi dhe në një shtëpi private, tha ai në Telegram.

Verifikimi i pavarur i pretendimeve të të dyja palëve është i vështirë për shkak të luftës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button