Shumica e pacientëve me ethet e Nilit Perëndimor janë nga Velesi dhe rajoni i Shkupit

Rastet me ethet e Nilit Perëndimot vitin e kaluar pothuajse të gjitha rastet ishin në jug të Maqedonisë së Veriut, ndërsa tani pothuajse të gjitha rastet janë në rajonin e Shkupit, së bashku me Velesin, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski mbrëmë në Kanall 5 tha se autoritetet epidemiologjike kanë vepruar në mënyrën e duhur ku janë kryer spërkatje të jashtëzakonshme në një rreze prej 200 metrash rreth vendbanimeve të pacientëve të regjistruar, ndërsa në Draçevë, ku janë konfirmuar pesë raste, është bërë spërkatje nga toka, e cila është më efektive sesa spërkatja ajrore.

Ministri theksoi se janë kryer kontrolle si në Shkup ashtu edhe në komunat e tjera dhe se shumica e tyre kanë respektuar planin për spërkatjen kundër mushkonjave.

“Tani na mbetet neve të zbatojmë mbrojtjen personale dhe të kujdesemi që të mos ketë ujë të ndenjur në oborre, kopshte e vende të ngjashme”, tha Klekovski.

Ai shtoi se ethet e Nilit Perëndimor janë të pranishme në vend prej vitesh, ndërsa kulmi i rasteve ka qenë në vitin 2019.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button