Afrim Gashi për 2 Gushtin: Të forcojmë shtetin me dialog, demokraci dhe përgjegjësi

Me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët, duke theksuar se kjo datë përfaqëson vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe është një kujtesë për përgjegjësinë e përbashkët në forcimin e institucioneve, demokracisë dhe bashkëjetesës.
“Me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, ju shpreh urimet më të sinqerta. Kjo ditë na bashkon rreth vlerave mbi të cilat ndërtohet dhe forcohet shteti ynë dhe na kujton përgjegjësinë e përbashkët për ta forcuar atë me vepra, vizion dhe përkushtim.
2 Gushti na kujton idealet e lirisë dhe vetëvendosjes të vendosura në dy shtyllat e kësaj historie: Kryengritjes së Ilindenit (1903) dhe Mbledhjes së Parë të KAÇKM-së në Prohor Pçinski (1944). Këto dy ngjarje historike përfaqësojnë vazhdimësinë e aspiratës për një shtet të ndërtuar mbi lirinë, demokracinë dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Por pesha e kësaj dite nuk qëndron vetëm në historinë që trashëgon, por edhe në shembullin që japim çdo ditë. Ajo na fton të reflektojmë për atë se si i jetojmë idealet mbi të cilat u ndërtua Republika, na mat në mënyrën se si i respektojmë institucionet, si e mbrojmë demokracinë, si e dëgjojmë njëri-tjetrin dhe si e vendosim interesin e përbashkët mbi ndasitë.
Prandaj, le ta shfrytëzojmë këtë ditë për të ripërtërirë angazhimin tonë të përbashkët: institucionet të jenë shembull i integritetit, mediat zë i përgjegjësisë publike, qytetarët pjesëmarrës aktivë në demokraci, e secili prej nesh promovues i besimit, drejtësisë dhe bashkëjetesës.
Jam i bindur se, duke ruajtur frymën e bashkëjetesës, duke promovuar dialogun, respektin dhe përgjegjësinë institucionale, do të vazhdojmë të ecim përpara drejt një shteti më të zhvilluar, më demokratik dhe më prosperues, të vendosur në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian. Kjo është mënyra më e denjë për ta nderuar Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gëzuar 2 Gushtin – Ditën e Republikës!”, ka shkruar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.



