Mickoski pret zgjerimin e hetimit për ujin në Gostivar

Në Gostivar vazhdon procesi i hiperklorimit të ujit, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski pret që së shpejti qytetarët të furnizohen me ujë që do të mund të përdoret edhe për pije, edhe për gatim.

“Në këtë moment po zhvillohet procesi i hiperklorimit, i cili po kryhet nga ekspertë të Ndërmarrjes Publike ‘Ujësjellësi i Shkupit’. Çdo ditë merren mostra të ndryshme dhe analizohen. Tashmë mund të them se po shkojmë drejt një situate ku, ndoshta për herë të parë në dekadat e fundit, qytetarët e Gostivarit do të kenë ujë për pije që do të jetë bakteriologjikisht i sigurt”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se shteti ka siguruar ujë të pastër për pije për banorët e Gostivarit dhe falënderoi kompanitë dhe individët që janë përfshirë në aksionin e donacioneve.

Sipas kryeministrit, problemi ka lindur si pasojë e punës së papërgjegjshme të disa të punësuarve në ndërmarrjen komunale, të cilët, siç tha ai, kanë transferuar ujë nga lumi në rezervuarin kryesor.

“Për këtë po vepron Prokuroria. Tashmë kemi persona të siguruar dhe të marrë në pyetje, ndërsa pres që hetimi të zgjerohet. Përgjegjësia është identifikuar dhe po ndërmerren masa”, tha Mickoski.

Ai shtoi se aktualisht është siguruar ujë teknik për përdorim dhe kërkoi durim nga qytetarët derisa të përfundojnë analizat.

“Pres që shumë shpejt qytetarët, përveç ujit që e përdorin për nevoja teknike, të marrin edhe ujë për gatim dhe për pije”, deklaroi kryeministri.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, Mickoski kritikoi edhe qeverinë e kaluar, duke theksuar se në të kaluarën institucionet nuk kanë reaguar ndaj gjetjeve që lidhen me cilësinë e ujit në disa komuna.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button