Kontroll policor në Gostivar, ndalohen 15 shtetase të huaja

Në një kontroll aksionar të zhvilluar mbrëmë në dy objekte hotelierike në territorin e Gostivarit, policia ka ndaluar 15 shtetase të huaja për shkak të keqpërdorimit të qëndrimit turistik, si dhe dy persona, mes tyre pronarin e një objekti hotelierik dhe një person tek i cili është gjetur marihuanë.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, kontrolli është kryer sot, në periudhën nga ora 02:00 deri në 04:00, nga zyrtarët policorë të SPB Tetovë – Njësia e Punëve të Brendshme Gostivar.
Në një objekt hotelierik në fshatin Çegran është arrestuar M.H. (50) nga fshati Forinë, pasi, sipas policisë, kishte mbyllur dyert e hyrjes pasi kishte vërejtur zyrtarët policorë dhe kishte paralajmëruar të pranishmit që të largoheshin. Me intervenim të shpejtë, policia ka penguar arratisjen e disa shtetaseve të huaja përmes daljes së pasme.

Në një tjetër objekt hotelierik në zonën e Njësisë Policore Gallatë, është arrestuar A.A. (53) nga Gostivari, pasi tek ai është gjetur marihuanë.
Gjatë kontrolleve, për shkak të qëndrimit në kundërshtim me qëllimin e qëndrimit turistik, janë ndaluar gjithsej 15 shtetase të huaja, të moshës nga 19 deri në 40 vjeç. Prej tyre, 11 janë gjetur në objektin në Çegran dhe katër në objektin në zonën e Njësisë Policore Gallatë.

Bëhet fjalë për shtetase të Serbisë, Shqipërisë dhe Kolumbisë.
Të gjithë të ndaluarit janë mbajtur në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngriten kallëzime përkatëse.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button