Dy zjarrfikës humbin jetën në Kretë

Dy zjarrfikës grekë kanë humbur jetën pasi mbetën të bllokuar teksa luftonin një zjarr pyjor që përfshiu zonën e Rethymnos në ishullin e Kretës.

Erërat e forta përhapën me shpejtësi flakët, duke detyruar evakuimin e disa fshatrave, në zjarrin më të fundit veror që ka shpërthyer në Evropën Jugore.

Në jug të Turqisë, autostrada kryesore Fethiye–Antalia u detyrua të mbyllej, ndërsa një pjesë e një spitali u evakuua për shkak të një zjarri në provincën Muğla.

Ndërkohë, në Spanjë dhe Francë ka nisur vala e katërt e të nxehtit këtë verë, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen të parandalojnë riaktivizimin e zjarreve të mëdha që sapo janë vënë nën kontroll.

Dëshmitarët thanë se në Kretë shpërthyen disa vatra zjarri që u përhapën me shpejtësi, ndërsa fronti më i madh i flakëve u shtri deri në 15 kilometra. Departamenti i zjarrfikësve tha se dy burrat që humbën jetën po punonin pranë qytetit perëndimor të Rethymnos.

Zjarre pyjore kanë shpërthyer edhe në pjesë të tjera të Greqisë, në ishujt Paros dhe Lesbos në Detin Egje, si dhe në qytetin jugor Trifilia në territorin kontinental grek.

Në Spanjë, kryeministri Pedro Sánchez ka paralajmëruar se 12 orët e ardhshme do të jenë “vendimtare” për shuarjen e një zjarri pranë kryeqytetit Madrid.

“Situata po përparon në drejtimin e duhur, por me kujdes maksimal”, u tha ai gazetarëve, duke përmendur temperaturat e larta, lagështinë e ulët dhe rrezikun nga erërat e fuqishme.

Më shumë se 43 mijë hektarë tokë janë djegur tashmë në Burgohondo të provincës Ávila, rreth 150 kilometra në perëndim të Madridit. Ky konsiderohet tani zjarri më i madh pyjor i regjistruar ndonjëherë në historinë e Spanjës.

Në total, gjatë këtij viti, më shumë se 207 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga zjarret pyjore në Spanjë, raporton BBC.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button