Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, fiton mandatin e dytë pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së dhe Izraelit

Volker Turk, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, i njohur për kritikat e tij të hapura ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza dhe në rajon, është rizgjedhur për një mandat të dytë.

Shtetet anëtare të OKB-së votuan të premten me 144 vota pro, 10 kundër dhe 13 abstenime për ta mbajtur Türk në detyrë. Mandati i tij duhej të përfundonte më 11 tetor, por tashmë ai do të shërbejë edhe katër vjet të tjera.

Nëse e përfundon mandatin e dytë, ai do të bëhet Komisioneri i parë i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut që e realizon këtë, që nga krijimi i këtij posti në vitin 1993.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Rusia, Koreja e Veriut dhe gjashtë vende të tjera votuan kundër rizgjedhjes së tij.

Türk u shpreh se ishte “thellësisht mirënjohës” për rizgjedhjen.

“Të drejtat e njeriut janë antidoti ndaj trazirave dhe pesimizmit të sotëm. Do të jap gjithçka për të drejtat e çdo njeriu, kudo që ndodhet”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Kritikat ndaj Izraelit

Komisioneri i OKB-së ka shkaktuar pakënaqësi në Izrael për shkak të kritikave të tij ndaj luftës në Gaza, sulmeve ndaj Libanit dhe, siç e ka cilësuar ai, mungesës “së turpshme” të llogaridhënies për shkeljet e të drejtave të njeriut në territorin e pushtuar palestinez.

Jurist me profesion, Türk ka kaluar pothuajse të gjithë karrierën e tij në OKB, përfshirë edhe detyra në Agjencinë e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Ai i ka bërë vazhdimisht thirrje Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ka deklaruar se shteti izraelit mban përgjegjësi për çdo shkelje të të drejtave të njeriut që kryen.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në OKB e përshëndeti rizgjedhjen e Türk, duke deklaruar se pret të vazhdojë bashkëpunimin me zyrën e tij për “promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën”.

Kritika nga SHBA-ja dhe Izraeli

Ministria e Jashtme e Izraelit kritikoi punën e Türk, duke pretenduar se gjatë drejtimit të tij Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut “ka fshirë mizoritë e 7 tetorit, ka keqpërdorur fondet dhe ka tradhtuar neutralitetin e OKB-së në favor të një radikalizmi politik të korruptuar”.

Izraeli është akuzuar nga organizata të njohura për të drejtat e njeriut dhe ekspertë të OKB-së për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë kryerjen e gjenocidit në Gaza.

Jeff Bartos, përfaqësuesi amerikan për Menaxhimin dhe Reformën në OKB, tha se sistemi i OKB-së për të drejtat e njeriut ka humbur besueshmërinë prej dekadash dhe se Türk “e çoi atë në shtratin e vdekjes”, ndërsa votimi i së premtes “i dha goditjen përfundimtare”.

SHBA-ja mbetet aleati kryesor dhe furnizuesi më i madh me armë i Izraelit.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u përball me kritika për mënyrën se si e menaxhoi procesin e votimit për mandatin e dytë të Türk.

Guterres, të cilit mandati i përfundon në dhjetor, u kishte dërguar më herët këtë muaj letra grupeve rajonale në OKB duke i njoftuar për synimin e tij për ta riemëruar Türk, ndërsa votimi u zhvillua vetëm pak javë më vonë.

Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi votimin e përshpejtuar si “një tjetër shembull të korrupsionit dhe paaftësisë së natyrshme të OKB-së”, duke pretenduar se Türk “ka mbyllur sytë përballë mizorive të vërteta dhe ka ndjekur një axhendë radikale ideologjike”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button