Latifi: Interkoneksioni me Shqipërinë 400 kV po bëhet realitet

Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, njoftoi se punimet për ndërtimin e interkoneksionit 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po zhvillohen sipas planit, ndërsa nënstacioni 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare të realizimit.

Latifi bëri të ditur se së bashku me ekipin e MEPSO-s ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve të projektit, të cilin e cilësoi si strategjik për të ardhmen energjetike të të dy vendeve dhe të rajonit.

“Me kënaqësi konstatuam se ndërtimi i nënstacionit 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare. Pas përfundimit të instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare, tashmë kanë filluar testimet operative dhe funksionale, të cilat janë hapi i fundit para vënies në funksion të nënstacionit”, deklaroi Latifi.

Ai theksoi se paralelisht po avancojnë edhe punimet në linjën e transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan.

“Ka nisur montimi i shtyllave të para, disa prej të cilave tashmë janë ngritur, ndërsa puna vazhdon intensivisht edhe në lokacionet e tjera përgjatë trasesë”, u shpreh drejtori i MEPSO-s.

Sipas Latifit, përparimi i punimeve është dëshmi e angazhimit për realizimin e projektit brenda afateve të planifikuara.

“Me përfundimin e këtij interkoneksioni, do të krijojmë një lidhje të re strategjike energjetike ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, do të forcojmë sigurinë e rrjetit të transmetimit, do të rrisim kapacitetet ndërkufitare dhe do të kontribuojmë në një integrim edhe më të fuqishëm të tregut rajonal të energjisë”, theksoi ai.

Në fund, Latifi ritheksoi përkushtimin e MEPSO-s për modernizimin e sistemit energjetik.

“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe përkushtim në ndërtimin e një sistemi energjetik modern, të besueshëm dhe të ndërlidhur, duke afruar edhe më shumë Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë”, përfundoi drejtori i MEPSO-s.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button