Bislimi: Menaxhimi i pushimeve mjekësore kërkon sistem më efikas dhe bashkëpunim ndërinstitucional

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, ka marrë pjesë në punëtorinë me temë “Forcimi i menaxhimit të pushimeve mjekësore”, e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, sektorit shëndetësor, sindikatave, odave ekonomike dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u diskutuan mundësitë për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të pushimeve mjekësore.
Sipas Bislimit, fokusi i diskutimeve ishte avancimi i sistemit përmes procedurave më të qarta, mekanizmave më efikas të kontrollit dhe zgjidhjeve që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të të siguruarve, duke siguruar njëkohësisht menaxhim të përgjegjshëm të mjeteve të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
“Gjatë punëtorisë u diskutuan mundësitë për avancimin e sistemit të menaxhimit të pushimeve mjekësore përmes procedurave më të qarta, mekanizmave më efikas të kontrollit dhe zgjidhjeve që do të sigurojnë një ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së të drejtave të të siguruarve dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor”, theksoi Bislimi.
Ai bëri të ditur se në kuadër të punëtorisë u prezantuan edhe praktika dhe përvoja ndërkombëtare, ndërsa ekspertët dhe përfaqësuesit institucionalë shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale dhe hapat e nevojshëm për ndërtimin e një sistemi më efikas, më transparent dhe më të qëndrueshëm.
Në fund, zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor vlerësoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për përmirësimin e politikave në këtë fushë.
“Besoj se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, dialogut profesional dhe përfshirjes së të gjithë akterëve relevantë mund të ndërtojmë politika të qëndrueshme që do të jenë në interes të qytetarëve, punëtorëve dhe sistemit shëndetësor në tërësi”, deklaroi Sedat Bislimi.


