Armata del në terren pas stuhisë së fuqishme në Shkup, ndihmon në pastrimin e rrugëve nga drunjtë e rrëzuar

Pas stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin, pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut janë angazhuar në terren për sanimin e pasojave dhe pastrimin e zonave të prekura.
Nga Armata njoftuan se ekipet e tyre kanë reaguar menjëherë pas motit të lig, duke u përfshirë në aktivitetet për largimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia.
“Pas stuhisë së fuqishme që përfshiu Shkupin, pjesëtarët e Armatës pa vonesë dolën në terren dhe u përfshinë në pastrimin e pasojave, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përballimin e situatës së krijuar”, thuhet në njoftimin e ARM-së.
Sipas tyre, reagimi i shpejtë, profesionalizmi dhe përkushtimi i pjesëtarëve të Armatës konfirmojnë gatishmërinë e institucionit për të qenë pranë qytetarëve në raste kur kërkohet ndihmë.
Stuhia e fuqishme që përfshiu kryeqytetin shkaktoi dëme në disa zona të Shkupit, me pemë të rrëzuara, dëmtime të infrastrukturës dhe vështirësi në qarkullim. Ekipet emergjente dhe shërbimet komunale vijojnë punën për normalizimin e gjendjes.



