Kuvendi miraton vazhdimin e gjendjes së krizës për derivatet e naftës deri më 20 tetor

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sot me 88 vota pro, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës për naftën dhe derivatet e naftës deri më 20 tetor.
Qeveria njoftoi se masa, e cila do të vlejë nga 21 korriku, synon të sigurojë reagim të shpejtë institucional në rast të çrregullimeve në furnizim ose luhatjeve të mëdha të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të tregut dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Para votimit, deputetët e partive shqiptare kërkuan që kjo pikë të shqyrtohej në një seancë të veçantë, duke akuzuar shumicën se po përpiqej të fuste në procedurë edhe ligje të tjera, përfshirë ato për arsimin e lartë. Pas koordinimit mes grupeve parlamentare, u arrit marrëveshje që projektligjet për arsimin e lartë të mos përfshiheshin në seancën e sotme.



