Zgjerohet hetimi për botokset ilegale: Arrestohen edhe dy mjekë të tjerë

Dy mjekë të tjerë dhe një person tjetër janë arrestuar në kuadër të hetimit të zgjeruar për importin, shpërndarjen dhe përdorimin e paligjshëm të preparateve dhe pajisjeve mjekësore, i njohur në opinion si rasti i botokseve ilegale.

Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup, përfshirë edhe dy institucione shëndetësore. Në bazë të provave të siguruara, prokurori publik ka urdhëruar hapjen e hetimit ndaj katër personave të rinj.

Tre prej tyre dyshohen për bashkim kriminal, shkelje të të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim të paautorizuar të markës tregtare të huaj, ndërsa personi i katërt dyshohet vetëm për veprat që lidhen me pronësinë industriale dhe përdorimin e paautorizuar të markës tregtare.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale Shkup u ka caktuar të katër të dyshuarve masa paraprake të kujdesit. Prokuroria nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre, institucionet shëndetësore ku punojnë apo veprimet konkrete për të cilat dyshohen.

Rasti u hap në muajin prill, kur hetimi përfshiu 17 persona fizikë dhe gjashtë persona juridikë. Në atë kohë u arrestuan 14 persona, mes tyre mjekë nga Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori”, Klinika Universitare e Dermatologjisë dhe pronarë të ordinancave private dermatologjike.

Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, dy grupe të organizuara kanë furnizuar barna dhe pajisje mjekësore të falsifikuara, përfshirë edhe botoks, nga Serbia, Koreja e Jugut dhe Turqia. Preparatet dyshohet se janë futur ilegalisht në vend, janë magazinuar, shitur dhe përdorur gjatë ndërhyrjeve estetike.

Sipas hetimit, një pjesë e preparateve nuk kishin miratim, deklaratë apo udhëzim të lëshuar nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED). Prokuroria vlerëson se përdorimi i tyre ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Në hetimin fillestar ishte përfshirë edhe një zyrtar doganor, i dyshuar se kishte marrë ryshfet për të mundësuar futjen e mallrave ilegale pa kontrollin e detyrueshëm doganor. Nën hetim janë edhe persona që, sipas dyshimeve, kanë marrë dhe ruajtur preparatet në banesa private.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button