Bislimi: Çmime më të ulëta për barna, kursime milionëshe dhe më shumë përfitime për pacientët

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, njoftoi se Fondi po ndërmerr masa të reja për ta bërë terapinë më të qasshme për pacientët, duke ulur njëkohësisht barrën financiare për qytetarët dhe duke krijuar mundësi për investime në barna moderne.

Bislimi bëri të ditur se tre barna antikoagulante tashmë janë përfshirë në Listën Pozitive A, duke u mundësuar pacientëve qasje më të lehtë në terapinë e nevojshme.

“Po vazhdojmë të ndërmarrim hapa konkretë për ta bërë terapinë më të qasshme dhe për të ulur shpenzimet e qytetarëve. Tre barna antikoagulante janë përfshirë në Listën Pozitive A”, deklaroi Bislimi.

Ai shtoi se në terapinë për astmën dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK) është vendosur konkurrenca gjenerike, ndërsa edhe bari FOSTER së shpejti do të jetë i disponueshëm vetëm me participimin ligjor, pa pagesë shtesë për pacientët.

Sipas Bislimit, masat e reja pritet t’i sjellin Fondit kursime vjetore prej 46 deri në 49 milionë denarësh, mjete që do të riinvestohen në zgjerimin e qasjes në terapi të reja dhe moderne.

“Këto masa pritet t’i sjellin Fondit kursime prej 46–49 milionë denarësh në vit, të cilat do të investohen në terapi të reja dhe moderne”, theksoi ai.

Bislimi nënvizoi se Fondi mbetet i përkushtuar për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më efikas dhe më të përballueshëm për qytetarët.

“Vazhdojmë të punojmë për një sistem shëndetësor më të qasshëm, me më pak shpenzime për pacientët dhe më shumë investime në shëndetin e qytetarëve”, përfundoi zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button