Bekim Sali takon Qemal Krosin, në fokus përmirësimi i shërbimeve publike

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, zhvilloi një takim pune me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Qemal Krosi, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit institucional për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe sektorit të biznesit.
Sali bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan mënyrat se si institucionet mund të koordinohen më mirë për të ofruar shërbime më të shpejta, më efikase dhe më transparente.
“Biseduam për mënyrat se si institucionet mund të bashkëpunojnë më mirë për të ofruar shërbime më të shpejta, më efikase dhe më transparente për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Sali.
Ai theksoi se modernizimi i administratës publike dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale mbeten ndër prioritetet e qeverisë.
“Angazhimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë institucione që punojnë në interes të qytetarëve dhe që e bëjnë administratën më moderne, më të përgjegjshme dhe më të lehtë për çdo qytetar”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali.



