Sali: Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat hyn në fazën e radhës

Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali njoftoi se ka përfunduar shqyrtimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në Komisionin parlamentar, duke theksuar se ky ligj paraqet një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e një obligimi që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Përmes një njoftimi publik, Sali akuzoi opozitën shqiptare për përpjekje për bllokim të procesit, duke vlerësuar se gjatë shqyrtimit të ligjit janë vërejtur tentativa për sabotim.

“Gjatë këtyre ditëve u pa qartë çdo përpjekje për bllokim dhe sabotim nga opozita shqiptare, e cila, fatkeqësisht, edhe një herë dëshmoi se interesin partiak e vendos përpara interesit të shqiptarëve”, deklaroi Sali.

Ai theksoi se për herë të parë, pas 25 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat po merr një formë të qartë ligjore.

“Ky ligj buron drejtpërdrejt nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Për herë të parë, 25 vjet pas nënshkrimit të saj, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat po institucionalizohet me një zgjidhje të qartë ligjore”, tha ai.

Sali u bëri thirrje deputetëve që të mbështesin ligjin, duke theksuar se bëhet fjalë për një obligim kushtetues dhe jo për çështje partiake.

“U bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim të përkatësisë etnike, e veçanërisht deputetëve shqiptarë, të mbështesin këtë ligj. Sot nuk votohet për një parti apo për një qeveri; votohet për zbatimin e një obligimi kushtetues dhe të Marrëveshjes së Ohrit, në interes të të gjithë qytetarëve”, theksoi zëvendëskryeministri i parë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button