Mbledhja në LDK, Haziri: Po trajtohet situata paszgjedhore, kemi vendosur të jemi pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban sot një “takim i kolegjiumit të degëve të LDK-së”, tha në një deklaratë për gazetarët nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Ai tha se do të trajtohet “situata paszgjedhore”. Ky takim, Haziri tha se është në funksion “të proceseve politike”, duke shtuar se LDK-ja ka vendosur parimisht që të jetë aktivisht pjesë e ndërtimit të institucioneve.
“Është takim i kolegjiumit të degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore është pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e LDK-së fillojnë ta trajtojnë situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilat LDK-ja ka vendosur parimisht që të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve”, tha ai.
Haziri i shmangu pyetjet e gazetarëve, duke thënë se “për gjithçka që do të dalë nga ky takim do të njoftoheni pas takimit”.
“Është proces….”, tha ai.
Ai qeshi dhe nuk u përgjigj kur u pyet se “a ka takim me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve”.
Haziri para disa ditësh në POLITIKO në Kanal 10 u shpreh se LDK-ja po angazhohet për një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ditë më pas, disa degë të LDK-së ia kërkuan dorëheqjen kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor.



