Ancelotti para sfidës me Japoninë: Na duhet një mentalitet shumë i fortë

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka kërkuar nga futbollistët e tij qetësi, personalitet dhe përqendrim maksimal përpara përballjes me Japoninë në fazën e 1/16 e finales të Kupës së Botës 2026.
Tekniku italian e cilësoi ndeshjen që do të zhvillohet në Houston si “finalen e parë” të Brazilit në këtë Botëror, duke theksuar se sfidat me eliminim direkt nuk lënë vend për gabime.
“Na duhet një mentalitet shumë i fortë, shumë zemër dhe ide të qarta. Duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë që mund të ndodhë në një ndeshje eliminatore, sepse në këto përballje gjithçka është e mundur”, tha Ancelotti.
Ai shtoi se skuadra e tij vjen e motivuar pas paraqitjeve të mira në ndeshjet e fundit.
“Besoj se ekipi është gati, i motivuar dhe plot besim. Dy ndeshjet e fundit kanë shkuar mirë dhe do të jemi të përgatitur për çdo skenar.”
Ancelotti u ndal edhe te presioni që sjell një ndeshje e tillë, duke theksuar se futbollistët duhet të fokusohen vetëm te loja.
“Në fund të fundit, mbetet një ndeshje futbolli, edhe pse zhvillohet në një kompeticion si Kupa e Botës. Duhet ta menaxhojmë presionin duke u përqendruar te ajo që duhet të bëjmë në fushë. Do të përballemi me një kundërshtar të organizuar dhe cilësor, ndaj duhet të funksionojmë si ekip, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, theksoi Ancelotti.
Trajneri brazilian beson se përvoja e futbollistëve të tij mund të jetë një nga faktorët vendimtarë për suksesin.
“Brazili ka shumë lojtarë me përvojë që e dinë si përgatiten dhe si luhen ndeshje të këtij niveli. Kjo më jep besim”, theksoi ai.
Ancelotti foli edhe për gjendjen e Neymarit, i cili ka munguar në pjesën më të madhe të turneut për shkak të një lëndimi.
“Ai po përmirësohet shumë. Gjatë javës së fundit ka bërë progres të madh. Fatkeqësisht nuk mundi të stërvitej rregullisht që nga fillimi i grumbullimit, por tani është në gjendje të punojë për periudha më të gjata dhe është në formë të mirë. Nëse do të luajë apo jo, do të varet nga rrjedha e ndeshjes dhe situata në fushë”, përfundoi strategu italian.



