Mucunski: Momenti për zgjerimin e BE-së është tani, por jo me çdo kusht

Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Kestutis Budrys, gjatë vizitës së tij në Shkup deklaroi se Bashkimi Evropian ndodhet në një moment të rëndësishëm për zgjerimin dhe se kjo mundësi duhet të shfrytëzohet. Megjithatë, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, theksoi se për Shkupin integrimi evropian nuk duhet të realizohet me çdo kusht.
Pas takimit me homologun e tij lituanez, Mucunski përsëriti qëndrimin e Qeverisë se vendi mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por pret garanci se procesi i integrimit do të zhvillohet pa bllokada të reja dhe me një nivel më të lartë parashikueshmërie.
“Çfarë sigurimesh ose garancish mund të marrë shteti ynë se nuk do të përballemi me bllokada të vazhdueshme nga një shtet anëtar? Është e qartë se edhe në lidhje me konsensusin e vitit 2022 ekzistojnë interpretime të ndryshme që vijnë nga 26 shtetet anëtare, institucionet evropiane dhe një shtet anëtar”, deklaroi Mucunski.



