FIFA: Rekord historik i pjesëmarrjes brenda një dite në Kupën e Botës

Një rekord prej 281.223 tifozësh ndoqën ndeshjet e Kupës së Botës të martën, duke vendosur pjesëmarrjen më të lartë njëditore në historinë e turneut, tha autoriteti botëror i futbollit FIFA, transmeton Anadolu.
FIFA tha se totali tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 277.070 spektatorësh, të vendosur më 28 qershor 1994, i cili gjithashtu kishte katër ndeshje. Organi drejtues tha se rekordi u arrit në katër ndeshje të fazës së grupeve: Franca kundër Senegalit, Iraku kundër Norvegjisë, Argjentina kundër Algjerisë dhe Austria kundër Jordanisë.
FIFA tha se frekuentimi i përgjithshëm pas gjashtë ditësh garë ka arritur në gati 1.31 milionë, me ndeshjet që tërhoqën mesatarisht pothuajse 65.500 shikues.
Sipas FIFA-s, turneu është në rrugë të mbarë për të tejkaluar rekordin e të gjitha kohërave të pjesëmarrjes së Kupës së Botës prej 3.5 milionësh, të vendosur gjatë edicionit të vitit 1994 të organizuar nga SHBA-ja, deri në fund të fazës së grupeve të këtij viti.
“Uau! 281.223 tifozë sot në stadiumet e Kupës së Botës FIFA, dita më e ndjekur në historinë e kompeticionit!”. Kështu ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino në rrjetet sociale duke shtuar se “16 qershori 2026 do të hyjë në historinë e Kupës së Botës FIFA. Nuk mund t’i falënderoj aq sa duhet tifozët tanë që sollën ngjyra, atmosferë dhe emocione në këtë turne”.
“Kupa e Botës FIFA 2026 më gjithëpërfshirëse vazhdon të tregojë se sa shumë pëlqehet loja jonë dhe sesi futbolli bashkon botën!”, shtoi ai.
FIFA tha se kërkesa për bileta mbetet e lartë dhe inkurajoi tifozët që të kontrollojnë disponueshmërinë përmes platformës së saj të biletave.
Organizata tha se të ardhurat e gjeneruara nga Kupa e Botës do të riinvestohen në zhvillimin e futbollit të meshkujve, femrave dhe të rinjve në 211 shoqatat e saj anëtare.


