Rutte: NATO e gatshme të mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nëse kërkohet

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se NATO-ja është e gatshme të mbështesë një nismë të udhëhequr nga Evropa për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pas marrëveshjes SHBA-Iran që synon t’i japë fund muajve të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke sinjalizuar se aleanca mund të ndërhyjë nëse kërkohet, raporton Anadolu.
Duke folur para një takimi të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Rutte tha se përfshirja e aleancës do të varet nga fakti nëse vendet pjesëmarrëse do të kërkojnë ndihmë.
“Nëse NATO do të luajë rol aty ose jo. Nëse është e dobishme, natyrisht do të luajmë rol, por nëse ata mund ta bëjnë pa ne, edhe kjo është në rregull. Pra, ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet”, tha Rutte në përgjigje të një pyetjeje të Anadolu-t.
Deklaratat e tij vijnë pasi Britania dhe Franca po shfaqin gatishmëri për një mision detar shumëkombësh që synon të lehtësojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë.
Rutte tha se përgatitje të gjera ushtarake janë bërë tashmë nga aleatët evropianë dhe partnerët gjatë dy muajve të fundit, me kapacitete të specializuara të zhvendosura më afër rajonit në pritje të një përpjekjeje për stabilizim.
“Kjo është ligjërisht dhe teknikisht jashtë territorit të NATO-s, por është plotësisht e qartë se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po koordinojnë gjithçka. Po shohim një dislokim masiv të aseteve gjatë dy muajve të fundit nga aleatët evropianë dhe të tjerë pranë zonës së operacioneve, veçanërisht në lidhje me çminimin, radarët dhe teknologji të tjera të nevojshme”, tha Rutte.
Sipas shefit të NATO-s, liderët në Samitin e G7-tës në Francë kanë diskutuar se si një koalicion i gjerë mund të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së re SHBA-Iran.
Ai tha se është diskutuar se çfarë mund të bëjë një nismë e udhëhequr nga Britania dhe Franca, me shumë vende të përfshira, për të siguruar zbatimin e angazhimit për rivendosjen e plotë të lirisë së lundrimit.
“Lajmi i mirë është se këto diskutime po vazhdojnë”, tha Rutte.
Koalicioni evropian i gatshëm të veprojë
Franca dhe Britania kanë kaluar muaj duke ndërtuar një koalicion detar që synon të rikthejë besimin e pronarëve të anijeve dhe të lehtësojë kalimin e sigurt të mijëra mjeteve lundruese që aktualisht presin të largohen nga Gjiri.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se rreth 20 vende kanë dhënë kontribute konkrete për këtë nismë, ndërsa disa prej tyre tashmë mbajnë pajisje ushtarake brenda ose pranë rajonit.
Franca ka vendosur aeroplanmbajtësen bërthamore Charles de Gaulle pranë Gadishullit Arabik që nga mesi i majit dhe ka sinjalizuar se avionët luftarakë mund të nisin misione vëzhgimi brenda 48 orëve, ndërsa fregatat dhe njësitë për çminim mund të dislokohen brenda pak ditësh.
Britania ka dërguar shkatërruesin HMS Dragon në zonë, ndërsa Italia ka vënë në dispozicion anije për çminim. Gjermania ka sinjalizuar se një anije për çminim e vendosur në Mesdhe mund të bashkohet me operacionet sapo të vlerësohet se armëpushimi është i qëndrueshëm.
Zyrtarët evropianë thonë se luftanijet mund të shoqërojnë deri në 2.000 tankerë dhe anije mallrash që presin kalimin përmes kësaj rruge ujore. Megjithatë, pavarësisht gatishmërisë ushtarake, zyrtarët kanë theksuar se dislokimi detar do të ndodhë vetëm kur të rritet besimi se marrëveshja mes Washingtonit dhe Teheranit po zbatohet.
Së fundmi, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto ka paralajmëruar se anijet për çminim janë veçanërisht të ekspozuara dhe nuk mund të operojnë pa garanci sigurie që të mos bëhen objekt sulmesh.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka deklaruar se çdo pjesëmarrje italiane do të kërkojë miratim parlamentar dhe do të zhvillohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Presidenti Macron, nga ana e tij, e ka përshkruar operacionin e planifikuar si një “ofertë” dhe jo një ndërhyrje të paracaktuar. “Kjo është një ofertë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha ai të hënën në margjinat e Samitit të G7-tës në Evian, së bashku me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Ajo tregon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe vendosmërinë tonë për të rihapur Ngushticën. Ndoshta nuk do të kërkohet dhe ndoshta nuk do të jetë e nevojshme”, shtoi ai.
Presidenti amerikan ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm lidhur me nevojën për një prani shumëkombëshe, duke theksuar se beson se vetë marrëveshja SHBA-Iran do të garantojë lundrim të hapur. “Mendoj se nuk do të kemi nevojë për shumë ndihmë, sepse kemi një marrëveshje që do ta mbajë të hapur dhe pa tarifa”, tha ai.
Megjithatë, ai pranoi se pjesëmarrja e disa vendeve “nuk do të ishte ide e keqe”. “Ti kurrë nuk e di çfarë ndodh”, shtoi ai.
Ndërkohë, tashmë kanë dalë dallime mes Washingtonit dhe Teheranit për statusin e ardhshëm të ngushticës.
Derisa Trump ka thënë se transporti detar do të jetë përgjithmonë pa tarifa, zyrtarët iranianë kanë sugjeruar se tarifat ose pagesat për kalimin e anijeve në këtë rrugë strategjike mund të mbeten në shqyrtim.
Memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit parashikon rihapjen e ngushticës brenda 30 ditësh dhe u jep negociatorëve edhe 60 ditë për të arritur një marrëveshje më të gjerë, duke lënë ende paqartësi për sigurinë afatgjatë.
Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten në Zvicër.



