SPAK godet milionat e kokainës në Shqipëri

Një grup kriminal i drejtuar nga shtetas shqiptarë është goditur këtë të martë nga SPAK, ku personat për të cilët është lëshuar urdhërarrest, akuzohen për trafikimin e të paktën 50 ton kokainë përgjatë viteve 2019-2021. Paratë e fituara prej tyre i kanë pastruar në kulla, hotele e vila.

Ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë dhe personat e akuzuar, trafikantë dhe “biznesmenë” që u kanë pastruar paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale me vila, kulla banimi dhe hotele, janë:

Nikoll Bibaj,

⁠Isa Aliu,

⁠Sokol Bibaj,

⁠Florjan Musaj,

⁠Armando Pacani,

⁠Denis Matoshi allias Eldi Dizdari,

⁠Naldi Yzeiraj,

⁠Oklid Aliu,

⁠Dritan Gjika,

⁠Shpëtim Aliu.

Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.

Në një reagim, kreu i SPAK-ut Klodian Braho tha se pasuritë me origjinë kriminale dëmtojmë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë, veprimtarinë ekonomike të bizneseve që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme.

“Ato rrisin forcën ekonomike të krimit të organizuar, përdoren për të financuar veprimtarinë kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike. Për këtë arsye, pasuritë me origjinë kriminale duhet të sekuestrohen, të konfiskohen, të kalojnë në favor të shtetit dhe të përdoren për qëllime të ligjshme”, ka theksuar ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button