Mickoski nga Stambolli: Maqedonia e Veriut është destinacion i qëndrueshëm për investime, ftesë për bizneset turke

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite pune në Stamboll të Turqisë, mori pjesë në një Forum Biznesi kushtuar bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, ku theksoi potencialin e vendit për investime të reja dhe forcimin e partneritetit me kompanitë turke.
Në fjalimin e tij, Mickoski vlerësoi marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi besimin, respektin dhe lidhjet e forta ndërmjet popujve.
“Maqedonia dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe lidhje të forta mes popujve, të cilat paraqesin bazë të fuqishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investime të reja”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut po pozicionohet si një destinacion stabil dhe konkurrues për biznes, falë pozitës strategjike gjeografike, klimës së favorshme investuese, zonave moderne industriale dhe qasjes në tregjet rajonale e evropiane.
“Kompanitë turke, përmes investimeve në Maqedoninë e Veriut, fitojnë mundësinë të bëhen pjesë e zinxhirëve evropianë të furnizimit dhe të zgjerojnë praninë e tyre në tregje më të gjera”, tha kryeministri.
Mickoski nënvizoi se qëllimi i Qeverisë është ndërtimi i partneriteteve afatgjata që do të sjellin vende të reja pune dhe rritje ekonomike.
“Synimi ynë është të ndërtojmë partneritete afatgjata që do të krijojnë vende të reja pune, rritje më të madhe ekonomike dhe sukses të përbashkët”, deklaroi ai.
Në fund, kryeministri u bëri thirrje investitorëve turq të bëhen pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit.
“I ftoj investitorët turq të bëhen pjesë e historisë zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, një shtet me vizion të qartë për të ardhmen, me dyer të hapura për investime të reja dhe me përkushtim të fortë për zhvillim ekonomik”, përfundoi Mickoski.



