Irani: Është finalizuar “pjesa kryesore” e tekstit të mirëkuptimit me SHBA-në

Irani ka deklaruar se “pjesa kryesore” e tekstit të mirëkuptimit me SHBA-në është finalizuar, ndërkohë ka akuzuar Washingtonin se po minon përparimin përmes ndryshimit të qëndrimeve, transmeton Anadolu.
Duke folur në televizionin shtetëror iranian mbrëmë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmaeil Baghaei, tha se Teherani e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë atë që ai e përshkroi si kërkesa “jolegjitime” gjatë kontakteve indirekte me SHBA-në.
“Pjesa kryesore e tekstit të mirëkuptimit është finalizuar”, tha Baghaei, duke shtuar se “qëndrimet kontradiktore” të Washingtonit po e pengojnë procesin.
Ai tha se SHBA-ja ditëve të fundit ka tentuar t’i imponojë Teheranit “kërkesa të pazakonta”, por Irani tregoi se “kurrë nuk do t’u dorëzohet kushteve jolegjitime”.
Baghaei gjithashtu theksoi se rruga diplomatike është ndikuar nga ajo që ai e përshkroi si veprime të paligjshme të SHBA-së kundër Iranit.
Sipas tij, ndërmjetësit mbeten aktiv dhe Teherani ua ka përcjellë qëndrimet e tij atyre “shumë qartë”.
Komentet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit dhe se diskutimet dhe detajet përfundimtare të një marrëveshjeje të mundshme janë miratuar nga disa palë rajonale dhe ndërkombëtare.


