MPB: Rritje mbi 70% e veprave penale dhe kallëzimeve për dhunë në familje në maj

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se vazhdon me zbardhjen e shpejtë të veprave penale që lidhen me dhunën në familje, ku gjatë muajit maj 2026 është shënuar rritje e konsiderueshme e rasteve të raportuara dhe të trajtuara.

Sipas të dhënave zyrtare, në maj 2026 janë denoncuar gjithsej 191 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, që paraqet rritje prej 70,5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Në të njëjtën periudhë është rritur edhe numri i kallëzimeve penale, me 137 kallëzime gjithsej, ose 71,3% më shumë se një vit më parë.

Sipas MPB-së, pjesa më e madhe e veprave të regjistruara janë “lëndim trupor” me 130 raste dhe “rrezikim i sigurisë” me 52 raste. Ndër rastet më të rënda është regjistruar një vrasje në zonën e SPB Manastir, si dhe dy raste të lëndimeve të rënda trupore. Numri më i madh i rasteve është evidentuar në territorin e SPB Shkup, me gjithsej 62 raste.

Gjatë këtij muaji, ndaj 144 personave janë ndërmarrë masa të ndjekjes penale, ndërsa si viktima janë evidentuar 143 persona. MPB ka paraqitur 18 kallëzime penale me procedurë të përshpejtuar, për 15 persona është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa për 48 persona janë shqiptuar masa kujdesi.

Në krahasim me majin e vitit të kaluar, kallëzimet e paraqitura me procedurë të përshpejtuar shënojnë rritje prej 800%.

Po ashtu, gjatë majit 2026 janë regjistruar 19 kundërvajtje, kryesisht për “sulm fizik” dhe “grindje e bërtitje”, si dhe 499 ankesa, shumica prej të cilave në SPB Shkup dhe SPB Shtip.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button