Dy persona goditen nga vetura te kalimi ilegal në Bit Pazar

Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur dje pranë kalimit ilegal për këmbësorë afër Bit Pazarit, një lokacion që prej vitesh konsiderohet ndër më të rrezikshmit për këmbësorët. Në orët e pasdites, një automobil ka goditur një burrë dhe një grua teksa po kalonin rrugën.
Sipas informacioneve të para, të dy personat kanë pësuar lëndime trupore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por aksidenti ka rihapur edhe një herë çështjen e sigurisë në këtë segment rrugor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e Ndihmës së Shpejtë dhe policia, të cilat kanë intervenuar dhe kanë nisur procedurat për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të incidentit.
Kjo nuk është hera e parë që ky lokacion bëhet qendër e vëmendjes për shkak të aksidenteve të trafikut. Gjatë viteve të fundit aty janë regjistruar disa aksidente, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar edhe me pasoja tragjike, duke rritur më tej shqetësimin e qytetarëve.
Para një kohe kishte një iniciativë për mbylljen e këtij kalimi ilegal, por pas reagimeve dhe protestave të banorëve lokalë, aktivitetet u ndërprenë dhe kalimi vazhdoi të mbetet në funksion.



