Avioni me “sigurim jozyrtar të Vuçiqit” ndalohet në Tivat dhe kthehet mbrapsht në Beograd

Një aeroplan me rreth 90 udhëtarë, i cili mbërriti në Mal të Zi nga Serbia të mërkurën, është ndaluar në aeroportin e Tivatit ku policia vendase kreu kontrolle policore mbi udhëtarët.
Policia malazeze njoftoi se ka kryer kontrolle të shtuara në aeroport në prag të samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tivat më 5 qershor.
“Në këtë kontekst, në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit në linjën Beograd-Tivat u caktua një fluturim çarter, me të cilin rreth 90 qytetarë serbë mbërritën në Mal të Zi këtë mëngjes”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Ndërkaq, gazeta malazeze “Vijesti” tha se të gjithë udhëtarët e fluturimit kontrovers çarter nga Beogradi në Tivat, janë kthyer mbrapsht në Serbi në orën 15.53, pas mbajtjes disaorëshe, raporton Klankosova.tv.
“Vijesti” më tej raporton se të gjithë 87 udhëtarët, kryesisht të rinj, me trupa të mirë dhe me tatuazhe, që mbërritën në Tivat këtë mëngjes, iu nënshtruan kontrolleve të sigurisë, dhe u ndaluan në portën e mbërritjes së aeroportit të cilët nuk u lejuan të kalonin kufirin shtetëror.
Ndërsa ishin në portë, pasagjerët e këtij avioni çarter ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga anëtarë të shumtë të policisë malazeze me uniformë dhe anëtarë të shërbimeve të sigurisë. Si rezultat, gjithçka kaloi pa asnjë incident.
“Vijesti” thotë se disa prej personave që ishin në bord ishin të regjistruar si persona me interes për arsye sigurie.
Grupi që mbërriti në Tivat nuk deshi t’u përgjigjej pyetjeve të policisë në lidhje me arsyen e vizitës së tyre në Mal të Zi.
Forca të shumta policore, të cilat kanë nën kontroll Aeroportin e Tivatit, kontrolluan fluturimin nga Beogradi, për shkak, siç i tha një burim policor “Vijestit”, dyshimeve për aktivitet hibrid.
Gazeta malazeze, bazuar në informacionet në dispozicion nga Drejtoria e Policisë, tha se personat në fluturim ishin kryesisht me precedentë kriminalë, ndërsa thuhet se ishin ngarkuar me detyrën për të siguruar në mënyrë jozyrtare qëndrimin e presidentit serb Alleksandar Vuçiq në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. /Klankosova.tv



