Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në Maltë, plagosen dy persona

Dy persona u plagosën lehtë si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi herët në mëngjes në një fabrikë për prodhimin e fishekzjarrëve në zonën Maghtab në Malta, transmeton Anadolu.

Sipas raportimeve të mediave lokale, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 06:30 sipas kohës lokale në fabrikën e fishekzjarrëve “Lourdes”, e cila ndodhet në rrugën Triq il-Qadi në pjesën veriperëndimore të ishullit të Maltës.

Si pasojë e shpërthimit, dy persona të moshave 67 dhe 47 vjeç pësuan lëndime të lehta. Gjithashtu, shumë shtëpi, ndërtesa dhe automjete në zonë u dëmtuan nga thyerja e xhamave.

Ndërkohë, u raportua se disa kafshë në fermat pranë fabrikës mund të kenë ngordhur si pasojë e shpërthimit.

Një dëshmitar okular tregoi se, pasi dëgjoi shpërthimin e parë dhe iu afrua dritares për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndodhi edhe një shpërthim i dytë.

Shpërthimi në fabrikë u pa edhe nga zonat e banuara përreth, ndërsa reja e tymit arriti afërsisht 300 metra lartësi.

Pas incidentit, shërbimet zjarrfikëse dhe Mbrojtja Civile e Maltës po i vazhdojnë punimet dhe inspektimet në vendngjarje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button