VLEN: Provimi i jurisprudencës në shqip ka hyrë në fazë të pakthyeshme

Zgjidhja e provimit të jurisprudencës ka hyrë në fazë të pakthyeshme drejtë zgjidhjes, theksojnë nga partia VLEN, një ditë pasi kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se do të ketë zgjidhje, por duke respektuar gjuhën maqedonase.
“Lidhur me provimin e jurisprudencës ka vullnet të mirë dhe dakordësi që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Tashmë ajo ka hyrë në binarë institucionalë dhe është në fazë të pakthyeshme drejt zgjidhjes. Ne nuk duam që këto çështje të mbeten peng i neglizhencës apo betejave ditore politike. Studentëve dhe kandidatëve shqiptarë u duhet zgjidhje, dhe pikërisht këtë po e bëjmë, jo vetëm për provimin e jurisprudencës, i cili asnjëherë nuk është mundësuar në shqip, por edhe për provimet tjera profesionale”, thonë nga VLEN për Alsat.
Gjatë ditës djeshme, në akademinë solemne për ditën e “Shën Kirilit dhe Metodit”, Mickoski duke folur për çështjen e reformave në arsim tha se çdo komunitet në shtet ka të drejtën ta përdorë gjuhën e vet. Megjithatë, sipas tij, kjo e drejtë duhet të jetë në korniza të Kushtetutës, ligjeve dhe respektimit të gjuhës maqedonase.
“Prandaj shumë shpejtë, do të vijmë në zgjidhje që duhet të gjithë ta mbështesim dhe e cila do të tejkalojë mbi interesat personale partiake dhe politike dhe tendencave që të ngatërrohemi edhe në një kurth nacionalist. Historia na mëson se kurthet e tilla janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa kriminale ose interesa tjera personale dhe fshihen prapa këtyre temave që janë mbulim i qëllimeve të vërteta, të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa. Çdo popull ka të drejtën e arsimit dhe mua do të më keni partner”, tha dje kryeministri.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka shkaktuar revoltë te studentët të cilët dy herë dolën në protestë. Krahas kësaj, çështja ka shkaktuar dhe debate mes politikës. Derisa BDI-ja opozitare akuzon VLEN-in se nuk është e aftë për ta zgjidhur çështjen, VLEN akuzon BDI-në se ka pasur kohë mbi dy dekada në pushtet, por nuk e ka zgjidhur. BDI thotë se nuk ka nevojë për ndryshime ligjore meqë kjo parashihet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Megjithatë Qeveria ka paralajmëruar se do të ndryshojë ligjin, ndërsa përpara miratimit në Kuvend do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias. /Alsat.mk



