SHBA dhe Irani pranë një marrëveshjeje 60-ditore armëpushimi për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

SHBA-ja dhe Irani janë pranë nënshkrimit të një zgjatjeje 60-ditore të armëpushimit që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, duke i lejuar Iranit të rifillojë shitjen e naftës dhe duke krijuar një hapësirë për negociata mbi programin bërthamor të Teheranit, transmeton Anadolu.

Sipas një zyrtari amerikan të njohur me draft-marrëveshjen, raportoi faqja e lajmeve Axios, marrëveshja e propozuar, e cila ende nuk është finalizuar, mund të shpallet që sot.

Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se marrëveshja ende mund të dështojë para se të nënshkruhet.

Sipas draft-memorandumit të mirëkuptimit, Irani do të pastrojë minat nga Ngushtica e Hormuzit dhe do të lejojë anijet të kalojnë pa tarifa.

Në këmbim, SHBA-ja do të heq bllokadën ndaj porteve iraniane dhe do të lëshojë përjashtime të kufizuara nga sanksionet, duke i lejuar Teheranit të shesë lirshëm naftë gjatë periudhës 60-ditore.

Një zyrtar amerikan e përshkroi marrëveshjen si “lehtësim në këmbim të performancës”, duke theksuar se lehtësimi ekonomik do të vijë pas hapave konkret iranianë dhe jo paraprakisht.

Drafti gjithashtu përfshin angazhime iraniane për të mos ndjekur armë bërthamore dhe për të negociuar pezullimin e pasurimit të uraniumit, si dhe largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Çdo lehtësim më i gjerë i sanksioneve ose zhbllokim i fondeve iraniane do të diskutohej gjatë periudhës së armëpushimit, por do të zbatohej vetëm si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare dhe të verifikuar.

Forcat amerikane të dislokuara në rajon do të mbeten në vend gjatë periudhës 60-ditore dhe do të tërhiqen vetëm nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Marrëveshja duket gjithashtu e lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se ngriti shqetësime për atë kusht gjatë një telefonate dje me Trumpin.

Një zyrtar amerikan tha se Izraeli do të lejohej ende të vepronte nëse Hezbollahu do të përpiqej të riarmatosej ose të rifillonte sulmet.

Disa liderë arabë dhe muslimanë, përfshirë zyrtarë nga Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Turqia, Pakistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë mbështetur përpjekjen diplomatike.

Pakistani ka luajtur një rol qendror ndërmjetësues, me shefin e forcave të armatosura Asim Munir që udhëtoi drejt Teheranit në përpjekje për të ndihmuar finalizimin e marrëveshjes.

Shtëpia e Bardhë shpreson që çështjet e mbetura të zgjidhen brenda pak orësh.

Por zyrtarët amerikanë thanë se armëpushimi mund të përfundojë më herët nëse Washingtoni arrin në përfundimin se Irani nuk është serioz për negociatat bërthamore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button