Rusia zhvendos municione bërthamore në Bjellorusi, rriten frikët për përshkallëzim të rrezikshëm

Alarmi për përshkallëzim bërthamor në rajon është rritur pasi Ministria Ruse e Mbrojtjes konfirmoi transferimin e municioneve bërthamore në magazina ushtarake fushore në Bjellorusia, në kuadër të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes Moskës dhe Minskut.
Sipas autoriteteve ruse, njësitë raketore bjelloruse po praktikojnë përdorimin e municioneve speciale për sistemin raketor mobil Iskander-M, duke përfshirë ngarkimin e kokave bërthamore në mjetet lëshuese, lëvizjen e fshehtë të tyre dhe përgatitjet për një lëshim të mundshëm.
Moska pretendon se gjatë stërvitjeve është arritur niveli maksimal i gatishmërisë luftarake. Në manovra janë angazhuar mbi 64 mijë trupa, afro 200 sisteme raketore, 140 avionë luftarakë dhe 80 anije e nëndetëse, në një demonstrim force që po ngre shqetësime të reja për sigurinë në Evropë.
Ministria Bjelloruse e Mbrojtjes deklaroi se ushtrimet synojnë testimin e gatishmërisë për vendosjen e armëve bërthamore në pika të ndryshme të vendit, ndërsa Rusia tha se po përgatitet për përdorimin e përbashkët të arsenalit bërthamor të vendosur në territorin bjellorus.
Më herët, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia mund të përdorë Bjellorusinë si bazë për një sulm ndaj një shteti anëtar të NATO, pretendim që Kremlini e ka mohuar. Në vitin 2023, Aleksandër Lukashenko pranoi vendosjen e armëve taktike bërthamore ruse në territorin bjellorus.


