Mickoski: Ta ruajmë dhe ta ndërtojmë shtetin, të mos lejojmë askënd ta poshtërojë!

Me një ceremoni solemne në fshatin Razllovc, Komuna e Dellçevës, sot u shënua 150-vjetori i Kryengritjes së Razllovecit. Në ngjarje mori pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, i cili në fjalimin e tij përcolli mesazhe për unitet dhe respekt ndaj sakrificës historike të kryengritësve.
“Ta ruajmë dhe ta ndërtojmë shtetin. Të mos lejojmë askënd ta poshtërojë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e Kryengritjes së Razllovecit. Sakrifica e tyre le të jetë betimi ynë. Qoftë e përjetshme Maqedonia”, tha Mickoski në fjalimin e tij me rastin e 150-vjetorit të kryengritjes në fshatin Razllovc, Komuna e Dellçevës.
Ai bëri thirrje për bashkim rreth interesave shtetërore dhe kombëtare, duke theksuar se asnjë dallim politik nuk duhet të jetë më i madh se atdheu dhe asnjë ambicie personale më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve.
Ai theksoi se Kryengritja e Razllovecit përfaqëson themelin e luftës popullore për liri dhe zgjimin e vetëdijes kombëtare.
“Sot jemi këtu, në Razllovc, në këtë tokë të shenjtë, për të shënuar 150 vjet nga Kryengritja e Razllovecit. Qëndrojmë përballë historisë, përballë sakrificës dhe kujtimit të njerëzve që në një kohë të vështirë dhe të errët zgjodhën rrugën më të vështirë, por edhe më të shenjtë – rrugën e lirisë”, tha ai.
Sipas tij, kryengritja nuk ishte vetëm një rezistencë e armatosur, por një zgjim i vetëdijes popullore dhe një “klithmë e parë e fuqishme” për të jetuar të lirë dhe me dinjitet.
Mickoski shtoi se lufta për shtetin sot vazhdon në forma të tjera – përmes punës, institucioneve dhe unitetit – por me të njëjtën thelb.
Ai paralajmëroi gjithashtu se shteti nuk duhet të jetë “shtet i poshtërimeve, lëshimeve dhe shitjeve”, duke theksuar se populli ka sakrifikuar shumë për të lejuar kompromis me identitetin dhe historinë.
Në këtë ngjarje foli edhe ministri i Kulturës Zoran Ljutkov, i cili tha se “heronjtë e Razllovecit nuk e mundën perandorinë, por e mundën heshtjen”.
Kryetari i Komunës së Dellçevës, Ivan Gocovski, njoftoi iniciativë që Razllovci të shpallet zonë historike e mbrojtur dhe që 19 maji të shpallet ditë jo pune.
Ceremonia përfundoi me vendosjen e luleve të freskëta nga delegacione të ndryshme para Shtëpisë Përkujtimore të Kryengritjes së Razllovecit.



