Turqia dënon ndërhyrjen izraelite kundër flotiljes së ndihmës për Gazën në ujërat ndërkombëtare

Turqia dënoi ndërhyrjen e Izraelit kundër Flotiljes Globale “Sumud” të nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare, duke e përshkruar atë si “një akt të ri piraterie”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke tha se forcat izraelite ndërhynë kundër flotiljes, e cila po transportonte ndihmë humanitare për Gazën.

“Ne dënojmë ndërhyrjen e kryer nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare kundër Flotiljes Globale ‘Sumud’, e cila u formua për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza dhe që përbën një akt të ri piraterie”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria theksoi se në bord të flotiljes ndodheshin qytetarë nga afro 40 vende dhe tha se “sulmet dhe politikat e frikësimit” të Izraelit nuk do ta pengojnë solidaritetin ndërkombëtar me popullin palestinez.

Ajo i bëri thirrje Izraelit që menjëherë të ndalojë ndërhyrjen dhe të lirojë pa kushte pjesëmarrësit e ndaluar.

Ministria po ashtu tha se autoritetet turke po ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar kthimin e sigurt të qytetarëve turq në bord të flotiljes dhe se po ndjekin nga afër zhvillimet në koordinim me vendet e tjera.

Ushtria izraelite të hënën sulmoi flotiljen humanitare Globale “Sumud” të nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare. Transmetimet e drejtpërdrejta nga flotilja treguan forcat detare izraelite duke ndaluar anijet një nga një.

E përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth” raportoi se aktivistët e ndaluar në bord të flotiljes po transferoheshin në një anije të marinës të përshkruar si “burg lundrues” përpara se të dërgoheshin në portin Ashdod.

Flotilja e ndihmës Globale “Sumud” kërkoi “kalim të sigurt” për misionin e saj humanitar drejt Rripit të Gazës, duke akuzuar Izraelin për kryerje të “akteve të paligjshme të piraterisë”.

Në një deklaratë, flotilja tha se forcat izraelite sulmuan të parën nga anijet e saj “në mes të ditës” në ujërat ndërkombëtare ndërsa anijet ushtarake ndalonin flotën.

“Ne kërkojmë kalim të sigurt për misionin tonë humanitar ligjor dhe paqësor”, thuhet në deklaratë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button