Presidenti kinez: Vizita e Trumpit do të rrisë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë

Presidenti i Kinës, Xi Jinping tha sot se vizita e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Pekin do të rrisë mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, transmeton Anadolu.
Xi e përshkroi vizitën treditore të Trumpit, e para e një presidenti të SHBA-së në nëntë vjet, si një vizitë “historike dhe të rëndësishme”, duke shtuar se të dy palët “kanë vendosur vizionin e ri të ndërtimit të një marrëdhënieje konstruktive Kinë-SHBA me stabilitet strategjik”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
“Ne kemi arritur mirëkuptime të rëndësishme të përbashkëta mbi ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare, zgjerimin e bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme dhe adresimin e duhur të shqetësimeve të njëri-tjetrit”, tha Xi.
Të dy presidentët ranë gjithashtu dakord të forcojnë komunikimin dhe koordinimin mbi çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, tha Xi duke shtuar se vizita e Trumpit ishte “e favorshme për rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë, thellimin e besimit të ndërsjellë dhe përmirësimin e mirëqenies së dy popujve”.
Ai shtoi se vizita tregon se arritja e bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit fitimprurës midis Kinës dhe SHBA-së, bazuar në “respekt të ndërsjellë”, është ajo që presin popujt e të dy vendeve dhe bashkësia ndërkombëtare.
Pekini dhe Washingtoni mund të nxisin zhvillimin dhe rigjallërimin e tyre përkatës përmes bashkëpunimit të forcuar, tha Xi duke i nxitur të dyja palët të zbatojnë konsensusin e arritur, “të ruajnë vrullin pozitiv të fituar me mund, të kalibrojnë drejtimin, të eliminojnë ndërhyrjet dhe të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të lidhjeve dypalëshe”.
Presidenti kinez mbajti një ceremoni mirëseardhjeje dhe banket për homologun e tij amerikan dhe të dy zhvilluan bisedime dhe vizituan të enjten Tempullin historik të Qiellit.
Të dy udhëheqësit morën pjesë në një ceremoni përshëndetjeje dhe një foto miqësie të premten, pas së cilës Xi priti Trump për një seancë çaji dypalëshe dhe një drekë pune.
Trump u largua nga Pekini pas ngjarjes.
Vizita e presidentit amerikan vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, të shkaktuara nga sulmet e forcave të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat nxitën hakmarrjen e Teheranit kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Udhëtimi fillimisht ishte planifikuar për në fund të marsit, por u shty për shkak të luftës së Iranit. Trumpi zbarkoi në Pekin të mërkurën në mbrëmje, sipas orës lokale.
Udhëtimi i tij shënon herën e parë në nëntë vjet që ndonjë president amerikan në detyrë ka udhëtuar në Kinë. Ai vizitoi Pekinin për herë të fundit në vitin 2017 gjatë mandatit të tij të parë.



