Bekim Sali: Janë realizuar 16 nga 27 pikat e agjendës reformuese, raporti final pritet javën e ardhshme

Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali deklaroi se Qeveria ende nuk e ka pranuar raportin përfundimtar për agjendën reformuese të dorëzuar në muajin janar, por pret që ai të arrijë gjatë javës së ardhshme. Sali tha se, sipas vlerësimeve paraprake, institucionet kanë realizuar pjesën më të madhe të obligimeve të ndërmarra nga Komisioni Evropian, duke përmbushur 16 nga gjithsej 27 pikat e dorëzuara. 11 pikat e tjera kanë të bëjnë me reforma më të thella në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe reformën në administratën publike, të cilat kërkojnë më shumë kohë dhe konsensus politik, tha Sali.
“Ende nuk e kemi marrë raportin përfundimtar për agjendën reformuese, për pikat që i kemi dorëzuar më 15 janar. Presim që gjatë javës së ardhshme ta pranojmë. Deklarativisht dimë se kemi përmbushur pjesën më të madhe të asaj që kemi dorëzuar, përkatësisht 16 nga 27 pikat që i kemi dërguar në Komisionin Evropian, dhe kjo do të thotë se jemi në rrugë të mirë për t’i përmbushur edhe hapat e ardhshëm që priten deri në fund të qershorit.” – Bekim Sali, zv/kryeministër i parë. /Alsat.mk/



