Kritiku i BE-së emërohet kryeministër i ri i Bullgarisë

Rumen Radev është emëruar kryeministër i ri i Bullgarisë, pas fitores bindëse të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, duke siguruar shumicën e parë të plotë parlamentare në vend që nga viti 1997.

Radev, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit për të marrë pjesë në zgjedhje, zhvilloi fushatë me premtime për luftimin e korrupsionit. Ai njihet gjithashtu si kritik i Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar rifillimin e dialogut me Rusinë.

Pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidentja Iliana Iotova, Radevi deklaroi se qytetarët bullgarë “kanë konfirmuar dëshirën e tyre për institucione stabile dhe për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”.

62-vjeçari prezantoi të enjten edhe përbërjen e kabinetit të tij qeveritar, i cili pritet të votohet në parlament të premten.

Qeveria e re do të përballet me një sërë sfidash, përfshirë hartimin e buxhetit për vitin 2026, menaxhimin e inflacionit në rritje dhe reformimin e sistemit gjyqësor, i cili konsiderohet i paralizuar prej vitesh.

Një tjetër prioritet për Radevin do të jetë zbatimi i reformave kundër korrupsionit për të zhbllokuar afro 400 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

Bullgaria, vend me rreth 6.5 milionë banorë, ka kaluar nëpër krizë të vazhdueshme politike gjatë viteve të fundit, me tetë zgjedhje të mbajtura brenda pesë viteve. Protestat masive kundër korrupsionit në vitin 2021 rrëzuan qeverinë konservatore të ish-kryeministrit Boyko Borissov.

Sipas indeksit të Transparency International, Bullgaria renditet ndër vendet më të korruptuara në Bashkimin Evropian, së bashku me Hungarinë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button