Gashi në Kopenhagë, do të marrë pjesë në Konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të BE-së dhe vendeve kandidate

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi do të marrë pjesë në Konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve kandidate për anëtarësim e cila do të mbahet në Kopenhagë të Danimarkës sot dhe nesër.
Konferenca përfaqëson forum për shkëmbimin e mendimeve, informacioneve dhe përvojave ndërmjet kryetarëve të parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian, ndërsa do të marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve kandidate. Qëllimi është promovimi i rolit të parlamenteve, mbështetja për bashkëpunimin e tyre dhe koordinimi i aktiviteteve ndërparlamentare.
Sipas temave të agjendës, takimi në Kopenhagë do të mundësojë diskutime të hapura dhe konstruktive për çështje me rëndësi qendrore për të tashmen dhe të ardhmen e Evropës, përkatësisht sigurinë, zgjerimin dhe rolin e bashkëpunimit parlamentar, qëndrueshmërinë demokratike në kohë ndryshimesh, kërcënimet hibride dhe gatishmërinë evropiane.



